Trajneri holandez Erik ten Hag ka refuzuar mundësinë për t’u rikthyer në krye të skuadrës së Ajax, edhe pse është konsideruar kandidati ideal për ta zëvendësuar Francesco Farioli, i cili është larguar javën e kaluar pas mospajtimeve me bordin drejtues të klubit.
Sipas "Voetbal International", pesëdhjetë e pesë vjeçari ka vendosur të mos e pranojë ofertën e Ajax, pasi thuhet se ka plane të tjera.
Ten Hag është aktualisht pa skuadër që nga nëntori i vitit 2024, kur u largua nga Manchester United, por është raportuar se ai ka zgjuar interesin e disa klubeve evropiane, përfshirë edhe Bayer Leverkusen në Gjermani.
Drejtori teknik i Ajaxit, Alex Kroes, e ka konfirmuar kontaktin me ish-trajnerin pas fitores 2-0 ndaj FC Twente, por nuk ka dhënë detaje për vendimin përfundimtar të Ten Hag. Ky i fundit kishte një periudhë të artë në krye të Ajax nga viti 2017 deri më 2022, duke fituar tre tituj në Eredivisie, dy Kupa të Holandës, një "Johan Cruijff Schaal" dhe duke çuar klubin deri në gjysmëfinale të Champions League në sezonin 2018/19.
Mospranimi i rikthimit nga ana e Ten Hag ka ndryshuar drejtimin e kërkimeve të Ajax për trajner të ri, me Paul Simonis, aktualisht në krye të Go Ahead Eagles, që shihet si kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e klubit për sezonin e ardhshëm.