Axhenda shumë e ngjeshur e drejtorit të ri sportiv të Milanit, Igli Tare, përfshin edhe një takim me Theo Hernandez dhe agjentët e tij për të nxjerrë përfundimet për të ardhmen e francezit.
Në lojë, shkruan “Corriere dello Sport-Stadio” mëngjesin e sotëm, janë dy opsione: largimi duke pranuar ofertën e duhur gjatë merkatos të verës së ardhshme ose qëndrimi dhe respektimi i kontratës derisa të skadojë pa rinovuar.
Në çdo rast, Tare dhe Moncada po studiojnë emra për krahun e majtë dhe në javët e ardhshme do të fillojnë të thellohen pas zgjedhjes së trajnerit të ri.
Njerëzit e merkatos të klubit kuqezi kohët e fundit kanë pikasur Junior Firpo, mbrojtësin e krahut të Leeds United, i sapo promovuar në Premier League. Me origjinë domenikane, ai ka një pasaportë spanjolle dhe mbi të gjitha është një profil në skadencë dhe për këtë arsye po monitorohet nga Milani, gjithmonë i vëmendshëm ndaj këtyre dinamikave. Nëse është e nevojshme, ai mund të përdoret edhe në mesfushë, gjithmonë në krahun e majtë.
Emri i dytë që Milani monitoron prej muajsh është Maxim De Cuyper.
Belgu ka bërë 37 paraqitje këtë sezon me 3 gola dhe 5 asistime në kampionat dhe është një mbrojtës që Moncada e ndjek prej disa kohësh. Në ndeshjet e Club Brugge, “djalli” shpesh dërgonte emisarë për të vëzhguar lojërat e De Cuyper drejtpërdrejt. Vlerësimi ekonomik është rritur javët e fundit, bëhet fjalë për të paktën 20 milionë euro, duke pasur parasysh edhe skadimin e kontratës më 30 qershor 2028.