Pritjes i erdhi fundi, sonte finalja e Ligës së Kampionëve

- Bota Sot

Pritjes i erdhi fundi, sonte finalja e Ligës së Kampionëve

Finalja e shumëpritur e Ligës së Kampionëve 2025 zhvillohet sot, në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut, ku përballen Paris Saint-Germain dhe Interi, shkruan KosovaPress.

Ndeshja nis në orën 21:00 dhe është kulmi i sezonit 2024–25 të Ligës së Kampionëve, edicioni i 70-të i këtij kompeticioni prestigjioz evropian.

Paris Saint-Germain ka eliminuar tre skuadra angleze — Arsenal, Liverpool dhe Aston Villa — për të arritur në këtë finale, duke synuar trofeun e parë të Ligës së Kampionëve në histori. Ndwrsa Interi siguroi vendin në finale pas një fitoreje dramatike ndaj Barcelonës në gjysmëfinale, me Davide Frattesi që shënoi golin vendimtar në kohën shtesë

Trajneri i PSG-s Luis Enrique ka në dispozicion një skuadër pothuajse të plotë, me përjashtim të mbrojtësit Presnel Kimpembe që mungon për shkak dëmtimi, kurse Inzaghi i Interit përballet me shqetësime për formën fizike të disa lojtarëve kyç si Benjamin Pavard dhe Piotr Zielinski, por kapiteni Lautaro Martinez pritet të udhëheqë sulmin.

Para fillimit të ndeshjes, grupi amerikan Linkin Park do të performojë në ceremoninë e hapjes, ndërsa violinisti gjerman David Garrett do të interpretojë një version të ri të këngës "Seven Nation Army" gjatë prezantimit të trofeut

Kjo finale shënon për herë të parë që nga viti 2004 që asnjë skuadër nga Anglia, Spanja apo Gjermania nuk është pjesë e finales së Ligës së Kampionëve, duke e bërë këtë përballje një moment historik në futbollin evropian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot