Kosova vazhdon përgatitjet me dy mungesa, flasin Krasniqi e Haxha

- Bota Sot

Kosova vazhdon përgatitjet me dy mungesa, flasin Krasniqi e Haxha

Dy prurjet e reja në Kombëtaren e Kosovës, mesfushorët Bledian Krasniqi dhe Florian Haxha, janë shprehur të lumtur për ftesën e parë nga Dardanët, duke theksuar pritjen e ngrohtë nga ekipi dhe motivimin për të dhënë maksimumin në ndeshjet e ardhshme. 

Skuadra e Kosovës ka vijuar sot me seancën e radhës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për miqësoret e muajit qershor kundër Armenisë dhe Komoreve. Në këtë seancë kanë munguar mbrojtësi Ismajl Beka, i cili ka pësuar një lëndim të lehtë në stërvitjen e parë dhe ka punuar individualisht me rekomandim të stafit mjekësor, si dhe portieri Amir Saipi, i cili nuk është stërvitur për shkak të problemeve shëndetësore. Ndeshja e parë, ndaj Armenisë, zhvillohet më 6 qershor, ndërsa ajo ndaj Komoreve më 9 qershor, të dyja në orën 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Krasniqi ka thënë se në ekip e kanë pritur shumë mirë dhe se është krenar që është i përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën. "Stërvitja ka qenë shumë e mirë dhe besoj se në këto dy ndeshje do të paraqitemi mirë dhe do të kemi rezultate pozitive”, ka thënë ai.

Ndërkohë, bashkëlojtari i tij, Florian Haxha, ka theksuar se ndeshjet duhet marrë me seriozitet. “Fillimisht, jam shumë i lumtur për ftesën nga Kombëtarja e Kosovës. Tashmë kemi përfunduar stërvitjen e dytë, e cila ishte shumë intensive dhe besoj se nga nesër do të fillojmë përgatitjet për ndeshjen kundër Armenisë. Si për mua, ashtu edhe për ekipin, është shumë e rëndësishme që t’i marrim seriozisht këto ndeshje dhe të fitojmë, sepse janë përgatitje për kualifikimet e Botërorit”, ka thënë ai. 

Me këto dy miqësore, Kosova synon të përgatitet për ciklin kualifikues të Botërorit, i cili do të fillojë në muajin shtator, teksa "Dardanët" garojnë në Grupin B, me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot