Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar të gjithë tifozët dhe publikun e interesuar se procesi i shortit elektronik për përzgjedhjen e atyre që kanë fituar të drejtën për të blerë bileta për ndeshjen Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, do të vijojë deri më 4 qershor.
Sipas FSHF-s, kjo zgjatje është bërë e domosdoshme për shkak të numrit shumë të lartë të aplikimeve të regjistruara në sistem dhe ngarkesës së platformës, çka e bën të nevojshëm një proces më të kujdesshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë aplikuesit, përcjellë KosovaPress.
Procesi i shpërndarjes së biletave ka nisur, dhe një pjesë e aplikuesve që janë përzgjedhur si fitues nga shorti elektronik janë tashmë pajisur me bileta përmes platformës së dedikuar.
FSHF i bën thirrje të gjithë personave që kanë aplikuar për bileta të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme adresat e tyre të emailit (si në Inbox ashtu edhe në Spam), për të parë nëse kanë marrë njoftim nga kompania T-Ticket, e cila menaxhon procesin zyrtar të shitjes së biletave.
Vetëm ata që do të përzgjidhen përmes shortit elektronik do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletave.
Nëse pas datës 4 qershor nuk merrni një email konfirmimi, kjo do të thotë që nuk jeni përzgjedhur nga shorti elektronik. Nuk do të dërgohet njoftim për ata që nuk janë përzgjedhur.