Presidenti i Como, Mirwan Suwarso, ka këmbëngulur se Cesc Fabregas, i cili është përfolur si zëvendësuesi i mundshëm i Simone Inzaghit si trajner i Interit, ‘nuk do të largohet nga klubi’.
Fabregas aktualisht shihet si kandidati kryesor për të zëvendësuar Inzaghin, pas konfirmimit të martën se ish-trajneri i i Zikaltërve ka vendosur të largohet me marrëveshje të përbashkët.
Raportet pretendojnë se Interi tashmë ka kërkuar leje për të nisur bisedimet direkte me Fabregasin dhe se përfaqësuesit e Nerazzurrëve pritet të takohen me spanjollin në Londër së shpejti.
Çfarë tha Presidenti i Como për lidhjet e Fabregas me Interin
Fabregas dhe Presidenti i Como, Suwarso, ndodhen të dy në Londër të mërkurën, ku folën së bashku në një panel të moderuar nga James Horncastle në eventin SXSW që po zhvillohet në të gjithë qytetin këtë javë.
Gjatë diskutimit, Suwarso shpalosi idetë e klubit për të ardhmen dhe theksoi se Fabregas është pjesë e rëndësishme e këtyre planeve.
“Është një udhëtim i gjatë, do të duhen disa sezone dhe gjithçka sillet rreth Cesc Fabregas, i cili nuk do të largohet nga klubi,” tha Suwarso, sipas Calciomercato.com.
James Horncastle, i cili moderonte panelin, raporton në The Athletic se Como është ‘i bindur’ për ta mbajtur Fabregasin. Horncastle shton se investimi personal dhe financiar i Fabregas te Como e bën situatën më të ndërlikuar.
Kjo, pavarësisht raporteve të vazhdueshme se përfaqësues të Interit janë aktualisht në Londër dhe synojnë të diskutojnë me Fabregasin për aspektet teknike të projektit të Nerazzurrëve.