Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar të mërkurën stërvitjen e katërt në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji, kundër Armenisë dhe Komoreve. Seanca është mbajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe është karakterizuar me angazhim maksimal dhe atmosferë shumë pozitive brenda grupit.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka vendosur fokusin kryesor të kësaj seance në aspektin taktik, për të përgatitur skuadrën sa më mirë për ndeshjen e parë miqësore, që zhvillohet të premten kundër Armenisë.
Atmosfera në kampin dardan është shumë e mirë dhe harmonike. Edhe lojtarët e rinj që për herë të parë janë bashkuar me kombëtaren janë ambientuar shpejt me grupin dhe po japin maksimumin në çdo stërvitje.
Për shkak të lëndimit, mbrojtësi Ismajl Beka është larguar dje nga grumbullimi, derisa pjesa tjetër e futbollistëve janë në gjendje të mirë fizike dhe kanë stërvitur me kapacitet të plotë.
Portieri Visar Bekaj pas stërvitjes theksoi se gjithçka po shkon në drejtimin e duhur dhe se grupi është i bashkuar:
“Stërvitjet janë duke shkuar mirë dhe atmosfera është shumë e mirë. Lojtarët e rinj janë ambientuar shumë mirë me ekipin dhe besoj se edhe ne, lojtarët më të vjetër, i kemi pritur mirë. Në këto dy ndeshje do të hyjmë për fitore dhe synojmë të vazhdojmë me këtë cikël pozitiv.
Nuk ka kundërshtar të lehtë –edhe Armenia është një nga kundërshtarët e fortë –por shpresoj që të gjithë do ta japim maksimumin dhe do të luftojmë 100%, pavarësisht nëse është ndeshje miqësore apo kualifikuese”, u shpreh Bekaj.
Ndërkohë, anësori i shpejtë, Ermal Krasniqi, vlerëson përgatitjet që po zhvillohen nën drejtimin e trajnerit Foda:
“Sot ishte dita e katërt e stërvitjeve. Grupi është shumë i mirë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet ta japim maksimumin. Jemi nën urdhrat e trajnerit dhe po mundohemi që ta përgatisim ndeshjen sa më mirë.
Edhe futbollistët e rinj janë ambientuar shumë mirë dhe e kanë kuptuar që duhet të japin maksimumin për fanellën e Kosovës. Armenia këtë herë është një ekip shumë më i mirë se sa në të kaluarën, si në aspektin defanziv, ashtu edhe në atë ofanziv. Jemi duke e analizuar në detaje ekipin armen dhe shpresojmë që të japim më të mirën të premten”, tha Krasniqi.
Kombëtarja do të mbajë nesër stërvitjen e fundit para miqësores me Armeninë, po ashtu në “Fadil Vokrri”, në orën 17:00.