Një rast tronditës rrëmbimi familjar është zbuluar nga autoritetet italiane dhe ato spanjolle, duke çuar në arrestimin e katër personave për rrëmbimin dhe fshehjen e një vajze, e cila tashmë është 14 vjeçe.
Midis të arrestuarve janë nëna e vajzës dhe partneri i saj, të cilët janë dërguar në burg me urdhër-arrest evropian, ndërsa dy të afërm të tjerë ndodhen në arrest shtëpiak.
Sipas Prokurorisë Publike të Milanos, vajza ishte zhdukur që në moshën trevjeçare, pasi midis viteve 2013 dhe 2014, një vendim gjyqësor kishte urdhëruar që ajo të kalonte nën përkujdesjen e Bashkisë. Në vend që ta dorëzonte vajzën, nëna e saj ishte zhdukur duke u larguar nga Italia dhe duke e marrë fëmijën me vete.
Hetimet e Njësisë për Mbrojtjen e Grave dhe të Miturve të Policisë së Milanos, në bashkëpunim me Njësinë Hetimore të Karabinierëve, çuan në identifikimin e nënës në qytetin spanjoll Valencia. Ajo jetonte atje me vajzën nën një emër të rremë, ndërsa partneri i saj kishte bashkëpunuar në fshehjen e gjatë të së miturës.
Në një deklaratë të prokurorit Marcello Viola, theksohet se edhe gjyshja e vajzës dhe një anëtar tjetër i familjes dyshohet se kanë ndihmuar në fshehjen fillestare në Itali. Të katër personat përballen me akuza të rënda, përfshirë “rrëmbim të rëndë” dhe “rrëmbim ndërkombëtar të një fëmije”.
Vajza tashmë ndodhet nën mbrojtjen e autoriteteve përkatëse, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur tërësisht rrethanat e këtij rasti që zgjati më shumë se një dekadë.