Sot në selinë e UEFA-s në Nion është hedhur shorti për raundin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian për vajza për edicionin 2025/26, ku Kombëtaret U19 dhe U17 të Kosovës kanë mësuar kundërshtaret e tyre në Ligën A, përkatësisht Ligën B.
Dardanet U19 në Grupin A7
Kombëtarja U19 e Kosovës është vendosur në Grupin A7 të Ligës A, ku do të përballet me kombëtare të forta si Portugalia, Danimarka dhe Islanda.
Liga A përbëhet nga 28 skuadra, përfshirë edhe shtatë ekipet e promovuara nga Liga B pas edicionit të kaluar.
Nga shtatë grupet që janë krijuar, ekipet që përfundojnë në vendin e fundit do të bien në Ligën B për raundin e dytë.
Mini-turnetë do të zhvillohen në një vend të vetëm, me ndeshjet që do të luhen në parim ndërmjet datave 20–28 tetor ose 24 nëntor–2 dhjetor 2025.
UEFA do të caktojë më vonë vendin pritës për secilin grup.
Dardanet U17 në Grupin B1
Kombëtarja U17 e Kosovës është shortuar në Grupin B1 të Ligës B, ku do të përballet me Uellsin, Moldavinë dhe Azerbajxhanin.
Në këtë fazë marrin pjesë 21 skuadra, përfshirë edhe ato që janë rikthyer nga Liga A në raundin e dytë të edicionit të kaluar.
Fituesit e secilit grup dhe skuadra më e mirë e vendit të dytë do të promovohen në Ligën A për raundin e dytë.
Vendet pritëse për mini-turnetë do të caktohen nga UEFA, ndërsa ndeshjet pritet të zhvillohen deri më 2 dhjetor 2025. Datat e sakta do të bëhen të ditura së shpejti.