Vazhdon gjyqi për ndarjen nga jeta të Maradonës

- Bota Sot

Vazhdon gjyqi për ndarjen nga jeta të Maradonës

Në San Isidro, një lagje e Buenos Aires, ka nisur dhe vazhdon gjyqi për vdekjen e Diego Armando Maradona, i cili ndërroi jetë më 25 nëntor 2020. Shtatë persona, mes të cilëve mjekë, specialistë dhe infermierë, po përballen me akuzën e vrasjes me dashje indirekte.

Sipas hetuesve, pakujdesia dhe neglizhenca e stafit mjekësor ndikoi në vdekjen e Maradonës, i cili pësoi arrest kardiak në shtëpinë e tij me qira në Tigre, një zonë në veri të Buenos Aires. Ai po shërohej pas një operacioni për heqjen e mpiksjes së gjakut në tru. Prokurorët nisën menjëherë një hetim mbi trajtimin mjekësor që i ishte dhënë “Dorës së Zotit”.

Ekspertiza mjekësore ka dalë në përfundimin se vdekja e “Pibe de Oro” mund të ishte shmangur nëse ai do të ishte trajtuar siç duhet. Shtatë nga tetë të akuzuarit, mes të cilëve neurokirurgu, psikiatrja dhe infermierët e Maradonës, tani po gjykohen për vrasje nga pakujdesia me dashje indirekte, akuzë që parashikon deri në 25 vite burg. Të akuzuarit mohojnë çdo përgjegjësi.

Në mesin e të akuzuarve është Leopoldo Luque, neurokirurgu dhe mjeku personal i Maradonës, i cili kreu operacionin për heqjen e mpiksjes së gjakut në tru. Po ashtu, edhe Agustina Cosachov, psikiatrja që i kishte përshkruar ilaçet legjendës argjentinase të futbollit.

Të tjerë të akuzuar janë: Carlos Diaz, specialist në varësinë nga alkooli; Nancy Forlini, doktoresha që ndihmonte në kujdesin shtëpiak; Mariano Perroni, koordinatori i infermierëve; Ricardo Almirón, infermieri që kujdesej për Maradonën; Pedro Pablo Di Spagna, mjeku klinik.

Një infermiere e tretë, Gisela Dahiana Madrid, ka kërkuar të gjykohet në proces të veçantë në një datë tjetër. Një nga pyetjet kryesore të hetuesve ka qenë: Pse Maradona u largua kaq shpejt nga spitali pas operacionit?

Raporti hetimor konstaton se “kujdesi shtëpiak nuk përputhej me rregullat dhe protokollet mjekësore”. Ekzaminimet kanë treguar se ekipi mjekësor nuk e monitoroi siç duhet Maradonën dhe injoroi shenjat e një insuficience të mundshme kardiake. Në dy javët e fundit para vdekjes, ai nuk kishte kryer asnjë analizë laboratorike apo kontroll kardiologjik.

Gjatë procesit, prokuroria do të paraqesë më shumë se 120.000 mesazhe dhe regjistrime audio mes personave që u morën me trajtimin e Maradonës. Mbrojtja e të akuzuarve, nga ana tjetër, ka porositur një studim mjeko-ligjor që pretendon se vdekja e Maradonës “ishte e papritur dhe pa agoni”.

Gjyqi pritet të zgjasë deri në korrik, me të paktën tri seanca në javë.



Read it all at Bota Sot