Të zhurmshëm tifozët shqiptarë në rrugët e Londrës, teksa në turma i drejtohen stadiumit. Stadiumi fillon të mbushet dhe nuk mungojnë nga të gjitha anët ngjyrat e kuqe.
– Shou me fishekzjarrë përpara nisjes së takimit, kjo edhe pse është ndeshja e parë për kualifikueset e Botërorit. Ovacione kur lexohen emrat e formacionit, teksa anglezët janë më të zhurmshëm. Kanë vendosur një kordon sigurie, por e bukura është se nga të dyja anët janë tifozë shqiptarë, të cilët kanë blerë bileta në sektorin anglez.
– Futbolli është pasion dhe jo biznes. 21 vite prezent, nuk na largon dot. Këto janë banderolat e grupimit “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët thumbojnë FSHF-në në lidhje me mungesën e biletave në sektorin ku kanë qëndruar gjithmonë.
– Silvinjo i kërkon Alijit ta bëjë me qetësi hedhjen e anësores në minutën e shtatë, sepse nuk kishte ku ta çonte.
– Tension nga Tuhel, flet me ndihmësin dhe i tregon se çfarë po ndodh.
– Minuta e 10-të. Silvinjo në gjunjë duke udhëzuar si të mbrojmë, ndërkohë që duartroket ekipin dhe i inkurajon.
– Tifozët anglezë ua marrin këngëve të tyre, ndërsa nuk mungon thirrja e tifozëve tanë: Shqipëria, kampion! – Një top i gjatë nga Strakosha mund të ishte i panevojshëm në të 17-n. Silvinjo i kërkon llogari.
– Ovacione te goditja e parë e këndit nga Kombëtarja jonë, ndërsa shiu ka filluar në “Uembli”.
– Silvinjo merr Ramadanin me vete në minutën e 48-të dhe i jep udhëzime për ekzekutimin e asaj goditje dënimi.
– 50’ Broja del në nxehje dhe të gjithë tifozët shqiptarë në stadium brohorasin emrin e tij. Trajneri e aktivizon.
– Lojtarët anglezë presin disa minuta për t’u zëvendësuar sepse topi nuk del jashtë.
– Minuta e 80-ë. Anglezët braktisin avash-avash shkallët e stadiumit.