Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka folur që tani për atë që pret nga merkato e verës. Ai tha se dëshiron vetëm lojtarë që “duan të luajnë për klubin”, pavarësisht nga konkurrenca.
Deklaratë që erdhi pasi u pyet për Viktor Gyokeres, sulmuesin që ai e ka patur deri para disa muajsh te Sporting. Lojari suedez është lidhur prej kohësh me një ribashkim me ish-trajnerin e tij në Old Trafford.
Megjithatë, Gyokeres përfaqëson gjithashtu një nga sulmuesit më të kërkuar në treg dhe konkurrenca për të është e madhe.
“Nuk kam folur me të. Nëse një lojtar dëshiron të vijë në Manchester United vetëm për të luajtur në Champions League, atëherë ai nuk do të vijë”, tha Amorim.
“Ne duam lojtarë që duan të përfaqësojnë United, që e duan këtë fanellë, jo lojtarë që duan të luajnë në gara të caktuara”, shtoi më tej trajneri portugez. Nën drejtimin e Amorim, Gyokeres shënoi 66 gola dhe 23 asist. Ai ka një klauzolë lirimi prej 83 milionë stërlinash, por mund të jetë i disponueshëm për rreth 50-55 milionë stërlina.