Inzaghi dhe 59.5 për qind ndeshje pa pësuar gol në Champions

- Bota Sot

Inzaghi dhe 59.5 për qind ndeshje pa pësuar gol në Champions

Në prag të Feyenoord-Inter, trajneri zikaltër Simone Inzaghi foli për mikrofonat e “Inter TV”:

“Është një ndeshje e vështirë kundër një kundërshtari cilësor. Feyenoord është një skuadër me vlera, që do të japë maksimumin për të kaluar në çerekfinale.

Lëndimet? Jemi në emergjencë dhe e dimë këtë, është një fazë e rëndësishme e sezonit.

Megjithatë, parimet tona nuk ndryshojnë; duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe t’i ruajmë distancat, duke pasur kujdes nga lojtarët e krahut”.

Një nga të dhënat më të rëndësishme gjatë epokës së Inzaghit në Champions League është përqindja e lartë e ndeshjeve pa pësuar gol: 59.5%. “Është një statistikë e bukur për t’u mbajtur, – tha ai. – Suksesi i çdo skuadre kalon nga faza mbrojtëse, ndaj nuk mendoj vetëm për mbrojtësit, por për të gjithë ekipin, duke filluar nga sulmuesit”.

Problemi më i madh për Interin në këtë ndeshje është emergjenca në krahun e majtë. Holandezët vijnë me 15 mungesa, por edhe zikaltërit kanë problemet e tyre.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për Dimarco, por edhe për Zalewski, Carlos Augusto dhe Darmian, – tha Inzaghi në konferencë. – Na mungojnë katër lojtarë që mund të luanin në të majtë”.

Pavarësisht spekulimeve, është e sigurt që Acerbi nuk do të luajë si mbrojtës i majtë në skemën 3-5-2, ndaj kjo detyrë i takon Bastonit. Dilemat më të mëdha janë në mesfushë: Asllani dhe Zielinski mund të startojnë, duke zëvendësuar Calhanoglu dhe Mkhitaryan.

Turku ka kohë që luan me dhimbje dhe mund të pushojë në një ndeshje të rëndësishme, por jo ende vendimtare. Nga ana tjetër, armenit i duhet të jetë gati si opsion për krahun e majtë. Në sulm, njëri mes Thuram dhe Lautaro mund të pushojë. Për Taremi duhet marrë parasysh edhe Ramazani, që “prek” pesë lojtarë të Feyenoordit, ndërsa surprizat mund të jenë Arnautovic ose Correa.



Lexoni të gjitha në Bota Sot