Drejtori i Flamurtarit largon tifozin dhe “mjetin e krimit” pas kaosit

- Bota Sot

Drejtori i Flamurtarit largon tifozin dhe “mjetin e krimit” pas kaosit

Flamurtari ka marrë një goditje të rëndë sot teksa është mundur në shtëpi nga Besa duke vënë në rrezik ngjitjen direkte në Superiore që dukej e sigurt vetëm pak javë më parë.

Por përtej kësaj humbje në fushë, klubi vlonjat mund të përballet me pasoja të rënda edhe jashtë saj për shkak të ngjarjeve pas ndeshjes.

Tifozët pushtuan fushën, sulmuan stafin e kavajasve dhe u godit me karrige trajneri Emiljano Çela, ngjarje të cilat padyshim do të përfundojnë para komisioneve të FSHF.

I ndërgjegjshëm për një situatë që mund të sjellë pasoja të rënda disiplinore për klubin vlonjat, drejtori sportiv Andi Ribaj, shihet në pamjet e siguruara nga “Panorama Sport” teksa pas ndeshjes mundohet që të largojë tifozët të cilët po tentonin që të kalonin forcat e sigurisë në stadium dhe të shkonin drejt dhomave të zhveshjeve për të sulmuar përsëri kavajasit.

Në pamje shihet edhe se si Ribaj largon i nervozuar karrigen me të cilën u godit Çela, teksa kërkon shpjegime për disa momente nga tribuna se si ishte e mundur që u lejua një gjë e tillë, sidomos duke pasur parasysh se ishte kërkuar prania e forcave të shumta policore pikërisht që të shmangej kjo situatë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot