Ndahet nga jeta fizioterapisti i Ramadanit dhe Berishës, shtyhet ndeshja Atalanta - Lecce

- Bota Sot

Ndahet nga jeta fizioterapisti i Ramadanit dhe Berishës, shtyhet ndeshja Atalanta - Lecce

Klubi italian Lecce ka njoftuar sot me trishtim të thellë ndarjen e papritur nga jeta të fizioterapistit 38-vjeçar Graziano Fiorita, një figurë shumë e dashur dhe me kontribut të jashtëzakonshëm për klubin gjatë më shumë se 20 vite.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate zyrtare në faqen e klubit, ku thuhet:

“U.S. Lecce, thellësisht e tronditur, njofton se është ndarë papritur nga jeta Graziano Fiorita.

Fizioterapisti, që ka qenë pjesë e skuadrës ‘giallorossa’ për më shumë se njëzet vjet, ndodhej me ekipin në grumbullimin në Coccaglio”.

Për shkak të kësaj tragjedie, skuadra ka vendosur të kthehet menjëherë në Lecce dhe është konfirmuar se ndeshja kundër Atalantës, e planifikuar për nesër, në orën 20:45, është shtyrë.

Në këtë moment dhimbjeje të thellë dhe tronditjeje totale, ku çdo fjalë është e tepërt, klubi nuk mund veçse të shprehë ngushëllimet më të sinqerta dhe të qëndrojë pranë bashkëshortes Azzurra dhe fëmijëve Carolina, Davide, Nicolò e Riccardo, nënës Francesca dhe të gjithë familjarëve.

Lecce humb kështu jo vetëm një profesionist të përkushtuar, por edhe një njeri që ka qenë mbështetje e vazhdueshme për lojtarët dhe stafin, duke qenë pjesë e jetës së përditshme të ekipit në çdo sfidë dhe fitore.

Ngushëllime të sinqerta familjes Fiorita dhe gjithë komunitetit të klubit Lecce në këtë moment dhimbjeje”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot