Enco Mareska vlerësoi paraqitjen e Çelsit të tij në ndeshjen kundër Liverpulit, ndërsa thotë se në kushtet në të cilat janë, ata duhet të bëjnë gjithçka për të siguruar një biletë në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm.
“Kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme. Liverpuli na detyroi të mbrohemi thellë, diçka që nuk na pëlqen ta bëjmë. Por ata janë shumë të mirë. Ne e kishim planifikuar ndeshjen për të qenë agresivë, por ata na detyruan të ndryshonim plan dhe u përshtatëm mjaft mirë.
Jam shumë i impresionuar me lojtarët e mi. Nuk është e lehtë të luash me markim trup më trup. Nëse e mbyllim në pesëshen e parë të gjithë mendojnë se është mirë dhe padyshim që Çelsi duhet të luftojë për Ligën e Kampioneve.
Por unë shpresoj që në të ardhmen të luftojmë për diçka edhe më të madhe”, u shpreh trajneri italian. Ndërsa Kol Palmer, i cili nuk shënonte prej mesit të muajit janar, tha: “Kisha tre muaj pa gol, por kjo më motivoi akoma më shumë për të vazhduar që të punoja”.