Skandal te Wolfsburgu – Dy lojtarë rrihen në stërvitje, trajneri paralajmëron pasoja
Situata te Wolfsburgu duket se po përkeqësohet jo vetëm në fushë, por edhe brenda grupit.
Trajneri i skuadrës, Ralph Hassenhuttl, ka pranuar se gjatë stërvitjes së së martës ka ndodhur një incident fizik mes futbollistëve Joakim Maehle dhe Mohammed Amoura.
Ekipi gjerman është në një periudhë të dobët në Bundesligë, duke mos gjetur ritmin e duhur, dhe kjo po reflektohet edhe në marrëdhëniet mes lojtarëve.
“Emocionet ndonjëherë janë të pashmangshme në futboll. Njëri nga lojtarët e kaloi cakun dhe kjo nuk është e pranueshme. Pasojat do të ketë.
Është e rëndësishme që të dy të kërkojnë falje, ta pranojnë ndëshkimin dhe të ecin përpara si ekip,” deklaroi Hassenhuttl për “Bulinews”.
Sipas raportimeve të mediumit gjerman “Kicker”, iniciatori i përleshjes ishte Mohammed Amoura.
Wolfsburgu aktualisht gjendet në vendin e 12-të në renditjen e Bundesligës dhe këtë fundjavë do të përballet me Borussia Dortmundin – një ndeshje sfiduese për një skuadër që po përballet me krizë brenda dhe jashtë fushës.